Një përleshje fizike ka ndodhur sot rreth orës 03:00 të mëngjesit në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë, me ç’rast disa persona kanë marrë lëndime trupore.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipas tij, ka pasur dhe të shtëna me armë zjarri, mirëpo nuk raportohet të ketë pasur të plagosur.

Borovci tha se rasti dyshohet të ketë ndodhur në një lokal, ku personat janë sulmuar nga sigurimi i lokalit.

“Më datën 06.04.2019 rreth orës 04:00 në rrugën ‘Ahmet Krasniqi’, është raportuar një rast rrahje dhe gjuajtje me armë. Njësitet policore kanë dal në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar viktimat të cilët më pas kanë vazhduar në QKUK për tretman mjekësor. Nga informacionet e para dyshohet se rasti ka ndodhur në një lokal në rrugën e sipër cekur dhe të njëjtit janë sulmuar nga sigurimi i lokalit”, ka thënë Borovci.

Ndërkohë që është njoftuar prokurori i shtetit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes.

Sipas Borovcit, ka vazhduar hetimi nga ana e policisë me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave nën të cilat është zhvilluar ngjarja. Nuk është raportuar për ndonjë të lënduar nga arma e zjarrit. /Telegrafi/