Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në intervistën për emisionin ‘Përballje ditore’ në Telegrafi.com me gazetarin, Muhamet Hajrullahu, ka thënë se platforma e miratuar në Kuvendin e Kosovës, mund të shndërrohet në një dokument të pavlerë, nëse nuk krijohet një unitet politik për dialogun Kosovë-Serbi.

Hoxhaj ka thënë se platforma e dërguar në Kuvendin e Kosovës është një dokument shumë i mirë, siç edhe sipas tij është Ekipi negociator, i cili përfaqëson partitë politike në vend.

“Mendoj që platforma që e kemi miratuar në Kuvend, që është një dokument shumë i mirë si dhe ekipi negociator që përfaqëson partitë politike, mund të shndërrohet në të pavlerë, nëse ne nuk krijojmë një unitet politik për shpejtësinë e dialogut…Realisht për çka e kemi bërë ekipin, platformën, për çfarë kemi deklaruar se do të jemi një koalicion i vendimeve të mëdha…?”, theksoi ai.

Sipas tij, nuk ka qëndrim të unifikuar tek partitë politike sa i takon çështjes së taksës dhe vazhdimit të dialogut.

“Mjerisht Kosova nuk ka ndonjë qëndrim të unifikuar sa i përket taksës. Kam përshtypjen që nuk ka qëndrim të unifikuar edhe sa i takon dialogut. Sigurisht që të gjithë jemi të përkushtuar për dialog, por përkushtimi dhe vullneti politik nëse nuk përcillet me veprime konkrete nuk prodhon situata të reja”, tha Hoxhaj.

Enver Hoxhaj gjatë intervistës për Telegrafin/ foto: Ridvan Slivova

Tutje, zëvendëskryeministri potencoi se bindja e tij dhe e PDK-së, si partnerë të koalicionit është që viti 2019 mund të shndërrohet në një vit historik.

“Nëse ne si partnerë të koalicionit kemi një qëndrim unik që ta pezullojmë taksën, t’i japim një shans dialogut. Ndërsa në përvojën time, ku pothuajse 10 vjet jam marrë me tema të politikës së jashtme, shtatë vjet kam qenë Ministër i Jashtëm, por kam qenë po ashtu pjesë e negociatave në Vjenë në vitin 2006-2007, asnjëherë nuk kam parë vendosmëri më të madhe amerikane se sa në vitin 2019 dhe vendosmëri më të madhe evropiane për të arritur një marrëveshje të madhe historike me Serbinë, që na siguron karrigen në OKB”, ka thënë Hoxhaj.

Ai deklaroi se si partnerë të koalicionit kanë dallime në ide, mirëpo ideja e një partneriteti të tillë, sipas tij ishte që të merren vendime të mëdha.

“Por, në këto katër vitet e fundit, prej 2014-s është krijuar një kulturë e blerjes së ‘kokës’, e një lloj politike ‘hajt të shohim çfarë po ndodh’. Unë dhe më tutje besoj që do të ketë një vullnet politik mes forcave politike në qeveri, edhe mes opozitës që ne realisht ta shndërrojmë dialogun në një prioritet të madh, se në hierarkinë e temave amerikane-evropiane për Ballkanin, Kosova është tema numër një”, u shpreh Hoxhaj.

Lidershipi, siç tha Hoxhaj duhet të ketë guxim dhe vullnet që ta mbyllin temën e dialogut, Kosovë-Serbi.

“E dimë që tema e dialogut nuk është popullore. Jam i vetëdijshëm se sa herë flas për dialog me Serbinë, kjo mund t’i kushtojë me votë edhe PDK-së e edhe partnerëve të koalicionit, por përmbyllja e shtetndërtimit në vitin 2019, njohja e ndërsjellë me Serbinë, anëtarësimi i Kosovës në OKB, duhet të jetë prioritet i dorës së parë. Nëse ne pas tri – katër vitesh e lëmë që të anëtarësohemi në OKB, apo pas 10 vitesh, mendoj që nuk janë arritje…”, deklaroi zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Duke folur për dialogun, ai potencoi se kjo çështje nuk mund të mbyllet pa e pasur mbështetjen e partive opozitare, siç janë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV).

“Por uniteti për dialog, duhet të jetë unitet edhe për opozitën. E di cilat janë qëndrimet e tyre, nuk jam këtu që të jap këshilla, por kjo çështje nuk mund të mbyllet pa mbështetjen e LDK-së, e cila edhe me të mund të mbyllet shumë vështirë, dhe pa mbështetjen e VV-së. Mendoj, sidomos LDK-ja, që kemi qenë bashkë në procese të rëndësishme duhet të reflektojnë, por nëse ka mbështetje dhe nga VV-ja do të ishte në interes të vendit”, tha ndër të tjera për Telegrafin zëvendëskryeministri i vendit, Enver Hoxhaj. /Telegrafi/