Krimineli i luftës dhe ish-presidenti i Republikës Srpska, Radovan Karaxhiç, u dënua sot me burgim të përjetshëm, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, Karaxhiq është dënuar më 2016 me 40 vjet burgim, duke u shpallur fajtor për gjenocid në masakrën e Srebrenicës më 1995.

Kështu, Gjykata në Hagë ka kundërshtuar apelin e ish-liderit të serbëve të Bosnjës dhe i ka zgjatur dënimin me burgim të përjetshëm.

“Dhoma e Apelit pajtohet me Prokurorinë se dënimi është i papërshtatshëm duke marrë parasysh rëndësinë e krimeve të Karaxhiq dhe se gjykimi i Dhomës Gjyqësore është i paarsyeshëm dhe i padrejtë”, tha gjyqtari Van Josen, kryetar i Dhomës së Apelit.

Ai shtoi se gjykata e shkallës së parë gaboi kur vendosi për dënim 40-vjeçar.

Ndryshe në këtë vend janë vrarë më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë nga forcat serbe të Bonjës, për të shënuar mizorinë më keqe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Siç ishte raportuar, Karaxhiq e ka cilësuar dënimin e tij si rezultat i një “gjykimi politik”, ndërkohë që avokatët e tij kanë insistuar se prokurorët dhe gjyqtarët kanë bërë një varg gabimesh gjatë gjykimit të tij shtatëvjeçar.

Në seancën e tij të apelit, ai ka pati thënë se “kurrë nuk ka bërë asgjë kundër myslimanëve. Ne i konsiderojmë ata serbë me fe myslimane”.

Më shumë se 100,000 persona janë vrarë dhe rreth 2.2 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë Luftës në Bosnjë në periudhën 1992-95. /Telegrafi/