Çapajev Gjokutaj

Ende s’ka lindur dielli, por në park ka lëvizje. Përballë meje afrohet një zonjë me qenushin përdore. I ka veshur një triko leshi me golf rreth qafës, kurse në ballë i ka bërë baluke dhe i ka lidhur një fjongo rozë.

Vras mendjen: gjithë këto pispillosje zonja i ka bërë se i pëlqejnë qenushit, apo për t’u kënaqur vetë? Më ngjan se golfi e bezdis kafshën, kurse balluket dhe fjongoja, në mos e bezdisin e lenë krejt indiferent.

S’di si ta shpjegosh prirjen e njeriut që t’i antropomorfizojë kafshët shtëpiake, t’i trajtojë si të ishin njerëz. Mbase kjo vjen nga dashuria, nga dëshira për të shuar dallimet dhe për të qenë sa më afër.

Po ku ta dish, mund të vijë edhe nga një ndjenjë pushteti: vë veten në qendër dhe i kërkon atij që ke pranë të tjetërsohet, të të ngjajë medoemos.

Pa asnjë arsye të dukshme më kujtohen miliona njerëz anembanë rruzullit që shfrytëzohen si të ishin kafshë, përdoren vetëm për fitime si të ishin mall tregu, sende pa shpirt.

Dhe s’di të them: dëshira për ta trajtuar kafshën si njeri dhe dëshira për ta shfrytëzuar njeriun si kafshë, janë të kundërta dhe s’kanë kurrfarë lidhjeje apo janë bimë të së njëjtës bahçe, zënë rrënjë mbi të njëjtat ndjesi njerëzore?

Natyrisht, shfrytëzimi i njeriut dhe kthimi i tij në mall janë veprime çnjerëzore. Por nuk di të them sa njerëzore është dëshira për ta bërë tjetrin medoemos si vetja, për të mos e lejuar të jetë ndryshe.