Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurës F.C për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.

Gjykata thotë se ka marrë aktvendim dhe të pandehurës F.C i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

“Ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura F.C duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit pasuror për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke kërkuar dhe pranuar para nga e dëmtuara M.G për përshpejtimin e rregullimit të disa dokumenteve mjekësore për të dëmtuarën.

Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së arrestit shtëpiak është e arsyeshme për zhvillimin e procedurës penale pa pengesë në sigurimin e prezencës së të pandehurës në procedurë, ndikimin në të dëmtuar apo dëshmitarë dhe në parandalimin e përsëritjes së veprës penale”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.